In Memoriam Akademik Petraq Pilika (1924-2009) Më 7 Prill 2009 u nda nga jeta Prof. Petraq Pilika, Akademik, Mësues i Popullit, Qytetar Nderi i Korçës, një nga personalitetet shkencore më të spikatura të Shqipërisë, themelvënësi i arsimit të lartë të plotë matematik shqiptar, iniciuesi dhe organizuesi i kërkimeve shkencore matematike në vendin tonë.
Prof. Pilika lindi në Korçë më 3 qershor 1924. Për tetë vjet ndoqi mësimet në Liceun e mirënjohur të këtij qyteti, një nga shkollat më të mira të asaj periudhe. I renditur gjithnjë ndër nxënësit më të dalluar të Liceut, shquhej posaçërisht në shkencat matematiko-natyrore. Dhuntitë matematike të P. Pilikës nuk i shpëtuan syrit të Raqi Qirinxhiut, mësues shumë i përgatitur dhe i talentuar. Ky mësues, të cilin djaloshi Pilika e kishte shëmbëlltyrë ideale, pati ndikim të fuqishëm tek ai, jo vetëm në zgjerimin e horizontit, por sidomos për formimin dhe brumosjen e karakterit me cilësi të larta njerëzore. Prandaj Pilika ruajti për Raqin, që ra dëshmor më 1944, një venerim dhe adhurim të jashtëzakonshëm deri në çastet e fundit të jetës.
Pushtimi fashist, të cilin e priti me dhimbje dhe urrejtje të thellë, e gjeti ende në bankat e Liceut. Pilika merr pjesë në të gjitha demonstratat dhe ndonëse shumë i ri, përfshirja tepër aktive dhe veprimtaria e dendur e tij ranë në erë të organeve represive të pushtuesve, prandaj ai u hodh mjaft herët në jetën ilegale. Gjatë Luftës kreu në terren dhe në zonat partizane misione të vështira e të rëndësishme të cilat ia ngarkonin sepse çmonin trimërinë e tij, zhdërvjelltësinë, mendjemprehtësinë, gjakftohtësinë, shpirtin e sakrificës.
Pas Çlirimit atë nuk e joshi perspektiva e ngjitjes së shkallëve të hierarkisë së pushtetit që ishte e hapur për të. Parapëlqeu të vazhdonte studimet e larta dhe të realizonte ëndrrën e tij për t’iu kushtuar matematikës.
Studimet i filloi më 1945 në Mehmatin e famshëm, Fakultetin e Mekanikës dhe të Matematikës të Universitetit të Moskës. Në jetën intensive mësimore por sidomos shkencore të Mehmatit, P. Pilika gjeti rrethanat dhe mjedisin më të favorshëm për shpërthimin e potencialeve të tij. Përfitoi sidomos nga ajo atmosferë komunikimi të ngrohtë midis profesoratit dhe studentëve e krijuar në vitet e para të pasluftës në këtë Fakultet. Në seminaret shkencore me mundësi të shumta zgjedhjeje prekej pulsimi real i kërkimit të mirëfilltë. P. Pilika ndoqi sistematikisht seminaret e drejtuara nga korifenj të tillë të matematikës si Kollmogorovi, Kuroshi, Menshovi dhe u vu re prej tyre për përgatitjen dhe interesimin që shfaqte. Me Menshovin punoi më gjatë, prandaj ai pranoi me kënaqësi ta udhëhiqte në punimin e diplomës në fushën e teorisë së funksioneve të variablit kompleks, që u vlerësua lart sidomos për origjinalitetin e disa ideve të reja. Me vullnetin e kalitur që kishte, P. Pilika i shfrytëzoi me përfitim të madh si rrallëkush shanset dhe formoi një kulturë solide matematike e me spektër të gjerë, që do të ishte themeli i veprimtarisë së tij të suksesshme.
Më 1951, pas kthimit nga Moska, u caktua përgjegjës i së parës katedër të matematikës e të fizikës në Institutin Pedagogjik katërvjeçar dhe njëherësh edhe dekan i këtij Instituti të porsakrijuar në atë kohë. Me një vizion shumë të qartë të perspektivës ai ngulmoi që arsimi ynë i lartë matematik të ndërtohej me standarde të kohës, me synimin për të arritur sa më shpejt në nivelin e institucioneve analoge të vendeve të përparuara me tradita e përvojë të konsoliduar. P. Pilika doli prerazi kundër ideve për të bërë thjeshtime të planeve e të programeve me pretekstin se vendi kishte nevoja të ngutshme, madje uri, për mësues të shumtë të matematikës, të cilëve në procesin e përgatitjes, u duhej ‘lehtësuar’ sa më shumë rruga për ta përfunduar shkollimin.
P. Pilika mbajti leksionet dhe hartoi tekstet e një numri të madh disiplinash formuese në Institut dhe ka meritën që krijoi fizionominë e tyre të parë në auditoret tona. Nën drejtimin e tij u organizua në Institut i pari seminar metodiko-shkencor matematik, që shërbeu jo vetëm për trajtimin në nivelin e duhur të lëndëve mësimore, por dhe për trajnimin profesional të lektorëve të shkollës së lartë. Produkti cilësor që nxori dega e matematikës dhe e fizikës ishte certifikimi i punës dinjitoze të drejtuar nga P. Pilika. Më 1957, me themelimin e Universitetit të Tiranës, P. Pilika caktohet përgjegjës i katedrës së matematikës në FSHN, që mbulonte me veprimtarinë e saj tërë disiplinat matematike në Universitet. Në këtë periudhë detyra më imperative ishte hedhja e bazave të kërkimit shkencor në matematikë, sepse nuk mund të kuptohej një katedër universitare pa këtë komponent kryesor të veprimtarisë së saj. Prof P. Pilika, duke u nisur nga gjendja reale e kuadrit, përvijoi të parën strategji afatshkurtër të këkimeve matematike tek ne dhe, në mbështetje të saj, planin përkatës të kualifikimeve pasuniversitare. Katedra, nën drejtimin e tij, filloi një jetë të mirëfilltë intensive shkencore, e cila dha frytet e saj në një kohë shumë të shpejtë. Punimet e para matematike panë dritën e botimit në organet e specializuara duke filluar nga viti 1958. P. Pilika, me angazhimin serioz në kërkim, frymëzonte me shembullin e tij. Ndërkohë, filloi aspiranturën në Universitetin e Moskës pa shkëputje nga puna (1958), nën udhëheqjen e Prof. Nikolskit në fushën e teorisë konstruktive të funksioneve. Problematika e zgjedhur ishte një çështje delikate e zbulimit të klasave kufitare të një hapësire të rëndësishme funksionesh. Detyra u përballua me sukses falë përpunimit nga P. Pilika të një aparati të ri më të lakueshëm analitik si instrument studimi dhe të metodave të holla për të ndarë ‘me bisturi’, në kuptimin e vërtetë të fjalës, kufirin e kërkuar. Më 3 qershor 1961 disertacioni i paraqitur prej P. Pilikës u mbrojt me sukses të plotë në një seancë historikisht ndër më të shkurtrat, në prani të një pjese të mirë të elitës matematike të Universitetit Lomonosov, që e shpërfilli ‘ngricën’ e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike dhe nuk ngurroi të shprehte respektin dhe stimën për studentin e dikurshëm shqiptar.
Prishja e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare dhe ngrirja e tyre me pjesën dërrmuese të vendeve të ish-kampit socialist, përveç Kinës, vetizolimi, sidomos në rrafshin e shkëmbimeve kulturore e shkencore me Perëndimin, krijuan një situatë të re, që patjetër ndikonte negativisht në zhvillimin tonë shkencor. Në këto rrethana spikatën mendjemprehtësia, forca e logjikës në zbërthimin, analizën dhe peshën e saktë të faktorëve të çdo problematike, qartësia e vizionit dhe aftësia organizuese dhe mobilizuese e Prof. P. Pilikës për të siguruar një zhvillim pak a shumë normal të arsimit matematik dhe të kërkimit shkencor në kushte anormale dhe të vështira për të. Ndërrimi i perspektivës kërkoi një ndryshim rrënjësor të strategjisë së përpunuar të zhvillimit që mbështetej edhe në ndihmën shkencore të huaj, në veçanti në shfrytëzimin e binjakëzimit me Mehmatin e Moskës. Prof. Pilika ngulmoi të mos lihej jashtë vëmendjes, natyrisht jo pa kosto në harxhim kohe pa grat për prodhimtari shkencore, ‘kanali politik’ në dy drejtime. Së pari, ai shfrytëzoi të gjitha mundësitë dhe rrugët për të përcjellë në organet vendimmarrëse sugjerime elementesh racionale në politikat shkencore, të cilat, kur përfshiheshin në dokumente programore, shfrytëzoheshin me zgjuarsi dhe efektivitet si pika të fuqishme në dobi të zhvillimit matematik të vendit. Së dyti, Prof. Pilika porositi të mendoheshin, kur ta lypte rasti, antidote ‘ideologjikisht të pranueshme’ për të minimizuar pasoja negative të ndërhyrjeve irracionale politike. Kjo ishte një nga taktikat më të suksesshme për të cilat ka meritë të veçantë Prof. Pilika. Falë kësaj matematika nuk e ‘pësoi’ as në vrullet më halucinante të asaj kohe, që herë-herë merrnin karakter fushatash. Përkundrazi, ajo pati gjithnjë një kurbë në ngjitje me luhatje të papërfillshme.
Në rrafshin më konkret, Prof. Pilika sugjeroi diversifikim më të madh të drejtimeve matematike që do të lëvroheshin, vëmendje më të rritur për matematikën e zbatuar, përgatitje të organizuar të kontingjenteve më elitare në matematikë, përvetësim të teknikës së re llogaritëse dhe ngritjen e strukturave të institucionalizuara të saj. Rruga e ndjekur deri më 1961, nën drejtimin e Prof. Pilikës kishte pasur si rezultat një arritje të shënuar. Ishte krijuar një bërthamë solide njerëzish të kualifikuar që mund të merrnin detyra me përgjegjësi për të garantuar zhvillimin e pritshëm. Pa një ‘masë të tillë kritike’ do të kishim degradim të pashmangshëm. Në sendërtim të objektivave u bë një profilizim më i detajuar i personelit të Katedrës. U krijua një katedër e re me synim kryesor lëvrimin e matematikës së zbatuar, u ngrit dega pesëvjeçare e matematikës, që siguronte për kontingjente më të zgjedhura formim më të shëndoshë matematik, filloi puna për ngritjen e Qendrës së Matematikës Llogaritëse (QMLL) të pajisur me teknikë elektronike. Në të gjitha këto kontributi i Prof. Pilikës ka qenë themelor. Ai përballoi me burrëri dhe dinjitet kundërshtimet dhe sulmet edhe të personave të veshur me pushtet, që e quanin ‘luks’ krijimin e degës pesëvjeçare, ndërsa ngritjen e QMLL-së si një kanal potencial depërtimi të ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste sidomos në ekonomi. Prof. Pilika nuk lëshoi asnjëherë pe ndaj presioneve, sepse kishte bindjen e patundur që këto masa ishin në dobi të përparimit të vendit.
Ritmet e përparimit matematik u përshpejtuan. Në periudhën nga 1975 deri më 1984 prodhimi shkencor matematik ishte pesë herë më i madh se sa ai i viteve 1961-1975, sipas bilanceve që u bënë në dy Konferencat Kombëtare të Matematikës dhe të Informatikës (1984, 1989), të cilat u organizuan nën drejtimin e Prof. Pilikës.
Në bilancin e sukseseve e vlen të veçohet si një arritje madhore krijimi i një meritokracie sektoriale. Prof. Pilika mblodhi rreth vetes njerëz të aftë, të përzgjedhur me kritere të sakta e të rrepta. Ai kishte guximin të shpërfillte disa norma jashtëshkencore të kohës në marrjen e kuadrit të ri, ashtu siç ishte dhe mjeshtër për të nxitur të talentuarit, për t’i ndihmuar të rinjtë të formonin personalitetin e vet shkencor, për t’u hapur horizonte, por dhe për të kërkuar prej tyre përkushtim, ndershmëri, cilësi e përsosuri. Ai e përbuzte me neveri ngritjen në kult të disiplinës formale sepse kishte besim te njerëzit. Ndaj të gjithë bënin çmos të mos e zhgënjenin këtë besim.
Prof. Pilika e kishte merak zbulimin e hershëm të talenteve të reja në matematikë. Prandaj ai u bë iniciator për organizimin e Olimpiadave Kombëtare Matematike, projekt që u bë realitet në gjysmën e dytë të viteve ’70, dhe, pas disa vitesh, shembulli i suksesshëm i matematikës u bë nxitje për veprimtari të ngjashme në disiplina të tjera natyrore. Si pedagog Prof. Pilika u bë shëmbëlltyrë ideale për të gjithë ata që kanë ndjekur, në Tiranë a në Prishtinë, ligjëratat e tij të papërsëritshme në auditor. Pasionant, i zjarrtë, asnjëherë monoton, ai entuziazmohej pas çdo ideje të hollë e të bukur. Fjala e tij ishte tërë nerv. Proverbiale do të mbeten përhumbjet e tij në përsiatje për çështje thelbësore në të cilat dilte në pah kultura universale dhe gjykimi i tij depërtues. Prof. Pilika ishte artist i lindur i mësimdhënies, në atë prizëm që e sheh këtë aspekt didakti i famshëm George Polya.
Si kërkues ai pati arritje që u çmuan dhe në rrafshin ndërkombëtar. Punimet e tij janë botuar te revista ‘Doklladi Akademii Nauk SSSR’, janë përmendur posaçërisht në një referat panoramik në simpoziumin ndërkombëtar në Holandë në fund të viteve ’60 si hap serioz përpara në fushën përkatëse, janë dëgjuar me mjaft interes nga specialistët në ligjëratat që ka mbajtur Prof. Pilika në universitetet e Prishtinës, të Shkupit, të Algjerit. Pati ftesa edhe nga universitete të tjera, si ai i Barcelonës, ku nuk mundi të shkonte për arsye të një aksidenti të rëndë të pësuar.
Prof. Pilika ka përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë jashtë vendit. Ai ka qenë përfaqësuesi ynë në forumin shkencor të Institutit Ndërkombëtar të Dubnos (1957-1961), kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Bukureshtit për riformimin e Unionit Ballkanik të Matematikës (1965), kryetar i delegacionit negociues me Akademinë Kineze të Shkencave (1966), kryetar i ekipeve tona pjesëmarrëse në Kongreset Botërore të Matematikës (Nisë, 1970 dhe Helsinki, 1978) ose si anëtar i delegacioneve të tjera. Prof. Pilika ka lënë mbresa të pashlyeshme te kolegët e huaj për aftësitë profesionale, kulturën e gjerë, forcën e karakterit dhe temperamentin e tij, për sharmin intelektual si bashkëbisedues.
Ai është dekoruar me medalje dhe urdhra të Luftës, me Urdhrin e Punës dhe Urdhrin Naim Frashëri i Klasit të Parë. Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin e lartë Mjeshtër i Madh i Punës (2004).
Prof. Pilika e ruajti freskinë e intelektit deri në ditët e fundit të jetës dhe mbajti kontakte të ngushta me kolegët dhe studentët e tij edhe pasi doli në pension më 1991.
Prof. Pilika ishte emër legjendë në matematikën shqiptare që në të gjallë të tij dhe i tillë do të mbetet përjetësisht në kujtimin e brezave. Vepra e tij e vyer është tani pjesë e visarit të pasurisë sonë shkencore. Aleko Minga
|